Kosova nuk është pjesë e eurozonës, por qytetarët e saj mund të votojnë për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro
Qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të japin mendimin e tyre për pamjen e ardhshme të kartëmonedhave euro, në kuadër të konsultimit publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas mediumit kroat tportal.hr, BQE ka përzgjedhur 10 propozimet finale për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro, pas një konkursi ku janë dorëzuar më shumë se 1.200 punime. Propozimet bazohen në dy tema kryesore: "Kultura Evropiane" dhe "Lumenjtë dhe shpendët".
Ky medium shkruan se, ndonëse mund të pritej që në këtë proces të merrnin pjesë vetëm qytetarët e vendeve të eurozonës, konsultimi publik është i hapur edhe për qytetarët e Kosovës, Malit të Zi, Andorrës, Monakos, Vatikanit dhe San Marinos.

Mediumi kroat i referohet një përgjigjeje të Bankës Kombëtare të Kroacisë, sipas së cilës anketa online është e hapur për të gjithë personat në Evropë, çka nënkupton se mund të marrin pjesë edhe qytetarët e vendeve që nuk janë pjesë e eurozonës.
Ndërkohë, edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) u ka bërë thirrje qytetarëve të përfshihen në këtë konsultim publik.
Në një njoftim zyrtar, BQK ka bërë të ditur se BQE ka prezantuar propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së re të kartëmonedhave euro dhe ka hapur konsultimin publik, duke ftuar qytetarët të shprehin preferencat e tyre për dizajnin e ardhshëm.
BQK thekson se, meqenëse euro është valuta zyrtare e Republikës së Kosovës, kjo nismë ka rëndësi të veçantë edhe për qytetarët e vendit.
"Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e eurozonës, aspirata jonë për integrim evropian po mbështetet përmes reformave të rëndësishme, përfshirë modernizimin e sistemit të pagesave dhe avancimin e procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA)", thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas BQK-së, në kuadër të angazhimit për edukimin dhe informimin financiar, qytetarët mund të njihen me propozimet e reja të dizajnit të kartëmonedhave euro, të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga BQE dhe të përcjellin procesin e përzgjedhjes së dizajnit fitues, i cili pritet të shpallet në fund të këtij viti.

Megjithatë, sipas tportal.hr, votimi i qytetarëve nuk do të jetë vendimtar për pamjen përfundimtare të kartëmonedhave. Krahas konsultimit publik, Banka Qendrore Evropiane po zhvillon edhe një hulumtim me një mostër përfaqësuese të qytetarëve të vendeve të eurozonës. Rezultatet e të dy proceseve, së bashku me vlerësimet profesionale dhe teknike, do t'i paraqiten Këshillit Drejtues të BQE-së, i cili do të marrë vendimin përfundimtar për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro.
Konsultimi publik është i hapur deri më 21 shtator, ndërsa dizajni fitues pritet të shpallet nga BQE në fund të vitit. Kartëmonedhat e reja do të hyjnë në qarkullim vetëm disa vite pas miratimit të dizajnit përfundimtar.
What's Your Reaction?
Like
0
Dislike
0
Love
0
Funny
0
Wow
0
Sad
0
Angry
0

Comments (0)